Anketim mbi Situatën Ekonomike në Shqipëri 2023

[Translate to Shqip:]

[Translate to Shqip:]

Rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri i gjeni këtu. 

N J O F T I M   P Ë R   S H T Y P

Botues: DIHA – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri

Data: 25.05.2023

Kontakt: DIHA, +355 (0) 4 222 71 46, info(at)diha.al

Pritshmëritë për situatën ekonomike sinjalizojnë një përmirësim të ngadaltë, ndërkohë që mungesa e fuqisë punëtore mbetet shqetësim për biznesin.

Rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri

Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në periudhën shkurt-mars 2023, situata aktuale ekonomike në Shqipëri vlerësohet në mënyrë të ngjashme me vitin e kaluar, me “mirë” nga 18% e të anketuarve, ndërkohë që në vitin 2021 vetëm 8% kishin këtë vlerësim. 45% e të anketuarve e vlerësojnë atë negativisht, ndërsa 36% e kompanive si “të kënaqshme” (2022: 18%, 42%, 39%).

Edhe pritshmëritë për situatën ekonomike në vend vijojnë të mbeten afërsisht në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, ku 25% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomikeme mirë, 45% e kompanive vlerësojnë si të „pandryshuar“, ndërsa 30% e tyre e vlerësojnë negativisht (2022: 21%, 44%, 36%). Këto shifra në 2 vitet e fundit janë dukshëm më pozitive se sa vitet 2020 dhe 2021 (vitet e pandemisë), ndërkohë që vlen të theksohet se edhe krahasuar me vitin 2019 (një vit përpara se të niste situata e pandemisë) vihet re një përmirësim.

Edhe kur pyeten për situatën e vetë biznesit, rezultatet janë të ngjashme me vitin e kaluar. 39% e të anketuarve e vlerësojnë atë më mirë, 41% e kompanive vlerësojnë si të „pandryshuar“, ndërsa 20% e tyre e vlerësojnë negativisht (2022: 36%, 46% dhe 18%). Për sa i përket ecurisë së pritshme të të ardhurave të biznesit të tyre, vihet re se një përqindje më e ulët e të anketuarve besojnë se ato do të qëndrojnë të pandryshuara. 50% e tyre presin rritje të të ardhurave (2022: 46%), 18% presin rënie (2022:12%), ndërsa 32% parashikojnë një gjendje relativisht të qëndrueshme, shifër kjo, që një vit më parë ishte 42%.

Vihet re një tendencë e qëndrueshme e bizneseve për të rritur investimet e tyre kapitale gjatë 2 viteve të fundit, krahasuar jo vetëm me vitet e pandemisë (kur hezitimi ishte i shpjegueshëm), por edhe me vitin 2019. Gjithashtu, 34% e bizneseve parashikojnë të rrisin numrin e punonjësve, 48% planifikojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele, ndërkohë që 18% mendojnë se do t‘u duhet ta reduktojnë. Shifrat janë lehtësisht më pozitive se vitin e kaluar (përkatësisht në 2022: 31%, 46%, 23%).

Ndër faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, janë vlerësuar më pozitivisht (ashtu si vitin e kaluar) produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i punonjësve dhe kostoja e punës. Një ndryshim i dukshëm pozitiv dallohet edhe tek negociatat për anëtarësim në BE, faktor që më parë vlerësohej ndër të fundit në renditje. Ndër faktorët e vlerësuar më negativisht vijojnë të renditen transparenca e tenderave publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, siguria ligjore, aksesi në financimet shtetërore dhe të BE-së dhe parashikueshmëria e politikave ekonomike. Ndërsa vlen për tu theksuar se “Disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar” ka shënuar një rënie të dukshme gjatë viteve të fundit, në krahasim me vitet e kaluara, kur ky faktor renditej si një ndër më pozitivët. Kjo shpjegohet nga shkalla e lartë e emigracionit gjatë viteve të fundit, që duket se ende nuk po bie.

Kjo përforcohet edhe nga përgjigjja ndaj pyetjes “Ku i shikoni rreziqet më të mëdha në zhvillimin ekonomik të kompanisë suaj në 12 muajt e ardhshëm?”, ku pjesa më e madhe e të anketuarve shprehen se “Mungesa e forcës së punës” është rreziku më i madh për biznesin.

Të pyetur mbi mundësitë e edukimit dhe trajnimit të punonjësve aktualë dhe të ardhshëm, bizneseve u është kërkuar të zgjedhin opsionet e preferuara (më shumë se një opsion i mundshëm), 59% e bizneseve preferojnë të kryejnë trajnime brenda kompanisë, 55% do të dëshironin të kishin bashkëpunim me një shkollë të mesme duale të çertifikuar, bazuar në modelin gjerman, ku ndërthuret trajnimi në kompani dhe mësimdhënia në shkollë profesionale. 20% e bizneseve parapëlqejnë të ofrojnë module tematike të njohura, në formën e trajnimit.

Së fundi, të pyetur nëse do e zgjidhnin Shqipërinë përsëri si një vend për të investuar, 70% e bizneseve përgjigjen me po.

Ambasadori Gjerman, z. Peter Zingraf theksoi në fjalën e tij se sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të tregojnë një interes të madh për rajonin. Sa më e mirë të jetë klima e investimeve, aq më shumë firma do të zgjedhin Shqipërinë. Për këtë nevojitet veçanërisht siguri ligjore, konkurrencë e ndershme dhe rregulla transparente.

Mbi anketimin

Nga data 13 shkurt deri më 17 mars 2023, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, së bashku me 16 Dhoma Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK) në Rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), realizoi me kompanitë anëtare anketimin vjetor mbi klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri. Nga të gjitha zyrat (AHK) të rajonit EQJL morën pjesë në këtë anketim 1620 kompani, nga të cilat 44 ishin nga Shqipëria. Kjo korrespondon me një pjesëmarrje prej 54 % të kompanive anëtare të DIHA-s. Pjesëmarrësit marrin pjesë në këtë anketim online dhe përgjigjet analizohen në mënyrë anonime. Tematika dhe gama e pyetjeve është për të gjitha vendet njësoj.

Rreth Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA)

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është një shoqatë e pavarur, e krijuar nga kompani të ndryshme në përputhje me legjislacionin shqiptar, me seli në Tiranë.

DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet bilaterale të biznesit dhe këshillon kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe kërkime tregu. DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK). AHK ka në të gjitha vendet, të cilat janë me interes për ekonominë gjermane. Deri më tani numërohen 93 shtete me mbi 150 zyra përfaqësie në të gjithë botën (www.ahk.de).