Përgjegjësi sociale dhe humanizëm në situata të vështira

Ky vit nisi për të gjithë botën me një të papritur tmerrësisht të pakëndshme: coronavirus u përhap më shpejësi dhe krahas pasojave në shëndetësi, ekonomia botërore pësoi një tronditje të rëndë. Për shkak të karantinës të detyrueshme në muajt mars prill shtresat në nevojë pësuan një goditje shumë të rëndë. Mbyllja e një sërë bizneseve për arsye sigurie krijoi vështirësi të mëdha dhe probleme mbijetese për një numër të madh familjesh.  

Në këto kushte, disa prej kompanive anëtare të DIHA-s treguan se humanizmi del mbi dëshirën për të fituar dhe dhanë kontributin e tyre për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Futura Dent ndihmoi me pako ushqimesh familjet në nevojë në Tiranë. Nehemia Gateway dhuroi vakte të gatshme për shtresat në nevojë në qytetin e Pogradecit, ndërsa Marlotex vazhdon të dhuroi maska prej tekstili në një sërë kompanish dhe institucionesh, për të ndihmuar në mbrojtjen ndaj përhapjes së virusit. Këto janë vetëm disa nga shembujt e altruizmit, që na shtyjnë të shohim dritë edhe në kohë të errëta si këto. Na mbetet të shpresojmë që situata do të jetë e përkohshme dhe sigurisht, do të mund t’ia dalim!