Presidenca e DAW (Deutsch-Albanische Wirtschaftsgesellschaft e.V.)

Me rastin e Ditës së Pavarësisë të Shqipërisë, më 28 nëntor 2019 u zhvillua Mbledhja e Përgjithshme e DAW (Deutsch-Albanische Wirtschaftsgesellschaft e.V. / Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare), e cila u organizua në ambientet e Shoqatës së Tregtisë - Shërbimeve - Turizmit në Berlin. Në fokus të kësaj mbledhjeje ishte zgjedhja e një pasardhësi për Presidentin e DAW prej shumë vitesh, Hans-Jürgen Müller. Kjo mbledhje u pasua nga një forum politik, në të cilin mori pjesë edhe Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s, z.Bledar Mankollari.

President i ri i DAW u zgjodh z. Artan Pojani. Ai ka qenë anëtar i Bordit të DAW që nga viti 2014 dhe është Administrator i kompanisë Powatec me qendër në Koburg. Bazuar në përvojën e tij si një sipërmarrës i suksesshëm në Gjermani dhe njohuritë e tij mbi Shqipërinë, Bordi i DAW e kishte propozuar njëzëri atë si Presidentin e ri të Asamblesë së Përgjithshme. Presidenti i ri i DAW, z. Artan Pojani, është gjithashtu edhe anëtar i Bordit të DIHA-s.

Presidenti i sapozgjedhur propozoi t‘i jepej z. Hans-Jürgen Müller titulli si “President Nderi” në shenjë mirënjohjeje ndaj përkushtimit të tij ndaj DAW dhe marrëdhënieve dypalëshe ekonomike.