Shërbimi i Ekspertëve Seniorë (SES) pranë Nucleus Albania

Misioni i vlerësimit dhe asistenca teknike e dhënë nga eksperti Gjerman i SES-it, z. Jürgen Bimber, u ndërmjetësua nga DIHA. Ekspertiza për hotelet dhe restorantet anëtare të bërthamave të Nucleus Albania në Shkodër dhe Durrës u përmbyll me një takim, ku u prezantuan dhe u analizuan gjetjet dhe rekomandimet e z. Bimber, të cilat përkthehen në plan pune dhe aktivitetesh për bërthamat e Nucleus Albania.

Eksperti, pas vlerësimit individual të anëtarëve të bërthamave, theksoi gjatë Workshop-it kategorizimin dhe standardet e hoteleve.

Shërbimi i Ekspertëve Seniorë (SES) është organizata kryesore gjermane për ekspertiza vullnetare nga specialistë dhe menaxherë në pension ose gjatë një shkëputjeje nga puna (Shërbimi i Ekspertëve 30+).

Kjo organizatë jofitimprurëse mbështet kompani të vogla dhe të mesme, administratën publike, dhoma tregtie dhe shoqata biznesi, institucione sociale dhe mjekësore, si edhe institucione arsimore dhe trajnuese në mbarë botën.

Në regjistrin e SES-it gjenden mbi 12.000 ekspertë, të cilët ofrojnë njohuritë e tyre për zgjidhjen e problemeve teknike, ekonomike apo organizative, në fusha dhe sektorë të ndryshëm, si edhe në trajnimin e stafit sipas modelit të formimit profesional gjerman.